Ilir Kulla, analist, thotë se gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK nisi me surpriza. Sipas tij akuza ishte ndryshuar sepse kishte shtim akuzash.
Duke analizuar rolin e gjithësecilit në “Drejt”, ai tha se fryrja dhe zgjatja e kësaj dosje rrezikon stabilitetin e brendshëm politik të Kosovës.
Kulla: Surpriza ka. Prokurorët prezantuan një akuzë të ndryshuar, shtuan akuza. Nuk e di sa korrekte është. kanë gati 3 vjet që janë aty. Pjesa e dytë e rëndë ishte që prokurori tha se këtu shumica është me akuza për torturim dhe vrasje shqiptarësh. Një gjykatë që lindi për supozim trafik organesh fëmijë serbë apo romë na u kthye në gjykatë për vrasje mes shqiptarësh për shkak të bindjeve politike.E kam ndjekur gjithë paraditen dhe pasditen procesin. Kjo gjykatë e ka marrë vetë përsipër faktin se është një gjykatë politike. Pse? Për ata që e njohin organizimin e ish-UÇK, Hashim Thaçi nuk ka pasur asnjë funksion drejtues përveçse kur ka qenë drejtuesi politik i Shtabit të Përgjithshëm në Rambuje.
Ai dhe zëdhënësi Krasniqi, janë dy njerëz me përgjegjësi të mirëfilltë politike. Prokurori thotë nuk po bëjmë luftë politike se nuk po akuzojmë UÇK por ndërkohë akuza për këta të dy është mirëfilli politike. Po flasim për periudhën 1998-1999. Kemi rolin e Veselit, i cili ka qenë drejtues i pjesës inteligjente i mbledhjes së informacioneve për gjithë UÇK, bashkëpunëtori numër një i Shërbimeve Inteligjente të Shqipërisë, CIA-s, shërbimeve perëndimore, ka pasur vlerësimin maksimal që ka pasur ndonjë drejtues i një shërbimi informativ të një organizimi çlirimtar. Nëse do ishte konsideruar kriminel lufte për ato vite do ta kishin izoluar. Ndërkohë Rexhep Selimi ka qenë inspektor, nuk ka pasur rol komandues. Në gjithë akuzat duhet të vërtetohet se ata që kanë bërë ngjarjen, nëse ngjarja ka ndodhur, kanë marrë urdhra të drejtëpëdrejta apo indirekte nga këta katër njerëz.
Pjesa tjetër që më vjen keq është përgjegjësitë e drejtuesve të Kosovës gjithë këto vite. Është e turpshme si institucionet e Kosovës nuk i kanë hetuar. Fryrja e kësaj dosje, zgjatja e kësaj dosje rrezikon stabilitetin e brendshëm politik të Kosovës, ka një qasje të mirëfilltë politike por duhet të jemi të kujdesshëm në sulmin politik ndaj prokurorisë. Kosova vazhdon të mbahet peng i marrëdhënieve Lindje-Perëndim. Duhet shumë maturi dhe ftohtësi. Është çështje epokale. Po u dënuan këta katër njerëz është dënuar historia politike e UÇK-së.