Kalon për gjykim dosja e Gërdecit, pranohet kërkesa për gjykim të shkurtuar

0

TIRANË- Është pranuar procesi për gjykim të shkurtuar lidhur me dosjen e Gërdecit ku është i pandehur ish-ministri Fatmir Mediu. Vendimi është marrë këtë mesditë, gjatë seancës paraprake që u mbajt sot. Në sallë u paraqitën avokatët e Mediut, të cilët kërkuar që të procedohej në këtë mënyrë. Kërkesa është pranuar nga trupa gjykuese pas shqyrtimit të bërë. Të pranishëm në sallë kanë qenë dhe anëtarë të familjes Durda, një nga të dëmtuarit nga kjo tragjedi.

Por pse akuzohet Fatmir Mediu?

SPAK kërkoi rigjykimin e Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.

Apeli i GJKKO vendosi hapjen e çështjes duke marrë të pandehur ish-ministrin. Ndërkohë Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm duke pretenduar se vendimi i Apelit është antikushtetues. Sipas avokatëve të tij, ky vendim cënon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj./Dosja.al


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu