Rritja reale e kreditimit ngelet poshtë mesatares historike, hendeku u rrit përsëri për vitin 2022

0

Ngadalësimi i kreditimit të ekonomisë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ka bërë që hendeku mes ritmeve të huadhënies dhe rritjes ekonomike të thellohej përsëri gjatë vitit 2022.

Banka e Shqipërisë kryen analiza periodike të këtij treguesi, që ka si qëllim kryesor evidentimin e nevojës për të vendosur një shtesë kundërciklike kapitali për bankat tregtare.

Shtesa kundërciklike do të kishte si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se banka qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta. Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk po aplikon shtesë kundërciklike kapitali dhe kjo u konfirmua edhe në vendimin e fundit të Guvernatorit, të datës 31 mars.

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, treguesi parësor për të vlerësuar ritmet e kreditimit të ekonomisë është hendeku i raportit të kredisë për ekonominë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky raport tregon devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit në raport me Prodhimin Kombëtar, duke shtuar, eventualisht, rreziqet sistemike.

Vlerësimi i fundit zyrtar i Bankës së Shqipërisë për këtë tregues i takon tremujorit të fundit të vitit të kaluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e katërt 2022 hendeku i raportit të kredisë ndaj PBB-së ishte -7.96 pikë përqindje pikë përqindje, ndërsa një vit më parë kishte qenë afërsisht -7.04 pikë përqindje.

Ecuria e treguesit parësor ka qenë në të njëtin kah si për segmentin “biznes” ashtu edhe atë “individë”.

Gjatë periudhës në analizë, thellimi i vlerës së treguesit duket se është përcaktuar kryesisht nga ecuria e treguesit përkatës të segmentit “biznes”. Megjithatë, në afat të gjatë, duket qartë se vlera e treguesit parësor për “individët” luhatet më afër nivelit zero, duke sinjalizuar nevojën për një vëmendje të Shtuar.

Treguesi në fjalë është parësor në vendimmarjen e Bankës së Shqipërisë lidhur me nevojën eventuale për shtesa kundërciklike të kapitalit, një nga shtesat e parashikuara në rregulloren e vitit 2019 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”.

Deri tani, rritja e kreditimit është ende larg pragut krahasues që do të kërkonte masa frenuese, duke vendosur shtesë kundërciklike të kapitalit për sektorin bankar. Ky prag do të kalohej nëse devijimi i raportit të kredisë ndaj PBB-së me mesataren afatgjatë do të ishte pozitiv me më shumë se dy pikë përqindje.

Për shembull, në periudhën 2002-2008, periudhë që përfshin fazën me rritjen më të lartë të kreditimit të ekonomisë në Shqipëri, ky hendek kishte qenë pozitiv me 1.9 pikë përqindje. Për periudhën nga fillimi i vitit 2009 deri në tremujorin III 2022, hendeku kishte qenë negativ me -7.78 pikë përqindje.

Si plotësues të këtij treguesi parësor në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, shërbejnë disa elementë të tjerë, të grupuar tek treguesi i paralajmërimit të hershëm dhe që sinjalizojnë zhvillimet në kreditim dhe në aktivet jofinanciare, konkretisht tregun e pasurive të paluajtshme.

Këtu përfshihen rritja vjetore e kredisë bankare, ndryshimi vjetor i kredisë bankare për pasuri të paluajtshme, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave dhe ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave ndaj vlerës së qirasë. Treguesit plotësues dëshmojnë vijueshmëri në prirjen rritëse të kredisë, sidomos të asaj për pasuri të paluajtshme.

Rritja e fortë e çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitett e fundit, në fakt, ka sjellë rritje të treguesit mesatar të paralajëmrimit të hershëm. Në tremujorët e fundit Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar që, nëse kjo tendencë vazhdon, mund të merret në konsideratë aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit./Monitor.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu