Indeksi i shëndetit të sektorit bankar u përmirësua më tej gjatë vitit të kaluar.
Ky indeks përfaqëson një vlerësim të përgjithshëm të kushteve dhe faktorëve kryesorë të rrezikut që ndikojnë në stabilitetin e sektorit bankar dhe atë të bankave individuale. Rritja e indeksit përfaqëson përkeqësim të shëndetit të bankave, ndërsa rënia e tij nënkupton një performancë të përgjithshme më të mirë. Vitin e kaluar, indeksi pësoi rënie në nivelin 0.415.
Indeksi përbëhet nga pesë tregues, të cilët përfaqësojnë pesë parametrat kryesorë të shëndetit të sektorit bankar: kapitali, cilësia e aktiveve, përfitueshmëria, likuiditeti dhe eficienca.
Përmirësimi vitin e kaluar u diktua kryesisht nga përmirësimi i notës së treguesit të përfitueshmërisë, që erdhi si rezultat i rritjes së kthimit nga aktivet e sektorit bankar. Rezultati neto financiar i sektorit bankar në fund të vitit 2022 shënoi fitim prej 21.7 miliardë lekësh (sipas standardeve të raportimit të Bankës së Shqipërisë), pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.
Qëndrueshmëria në rezultatin financiar të sektorit bankar është pasqyruar në qëndrueshmërinë e treguesve të përfitueshmërisë së sektorit bankar. Kthimi nga aktivet dhe kthimi nga kapitali arritën përkatësisht në 1.2% dhe 12.3% nga 1.3% dhe 12.9% një vit më parë.
Edhe nënindekset e eficiencës (të lidhura me peshën e shpenzimeve të veprimtarisë) dhe të cilësisë së aktiveve, treguan përmirësim të lehtë gjatë periudhës.
Nënindeksi i cilësisë së aktiveve zbriti në 0.37 në fund të vitit, nga 0.73 në fund të vitit 2014, si rezultat i rënies së konsiderueshme të raportit të kredive me probleme. Raporti i kredive me probleme vitin e kaluar ra më tej në 5%, nga 5.65% një vit më parë.
Nënindeksi i kapitalizimit të veprimtarisë nuk shfaqi ndryshime të dukshme gjatë vitit të fundit, ndërsa ai i likuiditetit ka shënuar një vlerë më të lartë gjatë periudhës, si rezultat i uljes së raportit të depozitave të klientëve ndaj aktiveve të përgjithshme. Megjithatë, kontributi i këtij nëntreguesi në nivelin e agreguar të rrezikut në kohë ka ardhur në rënie, veçanërisht gjatë 2 viteve të fundit.
Për grupin e bankave me rëndësi sistemike (BKT, Credins, Intesa Sanpaolo dhe OTP Albania), indeksi sinjalizon përmirësim në krahasim me gjashtë muaj dhe një vit më parë. Këto banka shfaqin përmirësim në tre prej pesë treguesve, por në mënyrë të veçantë përmirësimi vërehet në treguesin e përfitueshmërisë, që tregon rritjen e kthimit nga aktivet dhe të marzhit neto nga interesat.
Indeksi tregon një ecuri më pak të mirë për bankat me kapital shqiptar. Për këto banka vërehet përmirësim në drejtim të likuiditetit, ndërkohë që katër treguesit e tjerë dhe në mënyrë të veçantë përfitueshmëria dhe eficienca paraqiten në nivele më pak të mira në krahasim me dy periudhat paraardhëse.
Në tërësi, gjatë viteve 2014-2022, indeksi i agreguar i shëndetit bankar flet për përmirësim të shëndetit dhe rritje të qëndrueshmërisë së sektorit bankar. Ky përmirësim lidhet në mënyrë të veçantë me përmirësimin e cilësisë së aktiveve dhe të niveleve të likuiditetit dhe kapitalit. Në të njëjtën kohë, ndjeshmëria e indeksit ndaj niveleve të përfitueshmërisë është bërë më e rëndësishme duke nisur nga tremujori i parë i vitit 2020.