Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij Linda Rama, sapo kanë votuar në zonën e tyre në Surrel. Menjëherë më pas, ai ka dalë jashtë qendrës së votimit dhe ka dhënë një prononcim të shkurtër për mediat, duke komentuar dhe procesin.
Ajo që tërhoqi më shumë vëmendje në deklaratën e tij, ishte një “fshikullimë” për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për situatën e krijuar me identifikimin elektronik. Deri në orën 09.00, pothuajse në 60% të territorit ka pasur probleme me pajisjen “PEI”.
“Uroj që situata e krijuar nga KQZ me pajisjet të mos ketë dekurajuar ata që kanë shkuar për të votuar që në momentin e parë. Kurse ata që mund të jenë dekurajuar, uroj të kthehen dhe të votojnë për kandidatët për 61 bashkitë dhe këshillat bashkiakë”, u shpreh Edi Rama.
Ndërkohë, rreth një orë më parë komisioneri Ilirjan Celibashi urdhëroi që në të gjitha qendrat e votimit ku janë shfaqur probleme me identifikimin elektronik, sipas ligjit të veprohet manualisht.
Gazetarët e pyetën Edi Ramën dhe për deklaratat e Sali Berishës pas votimit, kur tha se në pajisjet e identifikimit mund të kenë ndërhyrë “hakerat qeveritarë”. “Edhe unë do t’i përgjigjem kësaj?!”, ju përgjigj kryeministri gazetarit.