Draft-statuti i Ramës, BE e prerë: Diskutimet për Asociacionin ndodhin vetëm në kuadrin e bisedimeve në Bruksel

0

BRUKSEL- Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të premten se “çdo ndihmesë konstruktive në bisedimet e lehtësuar nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, është e mirëseardhur”, por çështja mund të trajtohet vetëm në kuadër të këtyre bisedimeve.

Zëdhënësi Peter Stano i bëri këto komente pasi një ditë më parë kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se i ka dorëzuar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një projekt statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Ai tha se për këtë e ka vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, si dhe palën amerikane.

Zëdhënësi Stano që nuk foli për projektin apo përmbajtjen e tij, tha se ishte në plan që me 5 dhe 6 qershor të zhvillohej sesioni i parë i hartimit të projekt statusit në nivel të ekspertëve dhe të dyja palëve u ishin dërguar ftesat që më parë, por, për shkak të përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, u desh të shkojë në Kosovë dhe në Serbi dhe ky takim nuk u zhvillua.

“Bashkimi Evropian si lehtësues i bisedimeve është gati të organizojë së shpejti seancën e hartimit të statutit dhe është në kontakt me të dyja palët”, tha zëdhënësi Stano.

Kryeministri Rama tha të enjten se dokumenti i ofruar prej tij është ‘konfidencial’ dhe nuk është konsultuar me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, për këtë çështje.

Qeveria e Kosovës as të premten nuk e komentoi nismën e kryeministrit Rama, ndërsa opozita u paraqit me qëndrime të ndara. Një pjesë e saj e vlerësoi atë, kurse pjesa tjetër tha se hartimi i projektit të statutit të Asociacionit i takon vetëm qeverisë së Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i tha agjencisë së lajmeve Reuters të premten se “Kurti ka propozimin e tij për Asociacionin e Komunave Serbe, Rama ka propozimin e tij për Asociacionin, disa Organizata Joqeveritare kanë propozimin e tyre për Asociacionin, por asnjë prej tyre nuk ka të drejtë të bëjë propozime. Ai propozim është bërë nga serbët dhe ekipi menaxhues i përbërë nga serbët”.

Me 2 maj në Bruksel u paraqit një projekt statut i Asociacionit i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, përfshirë një deputete të parlamentit të Serbisë.

Por ai u refuzua nga kryeministri i Kosovës, i cili e cilësoi të “papajtueshëm me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, të drejtat e njeriut, vlerat evropiane, të drejtat e pakicave sipas standardeve evropiane”. Në vend të tij ai tha se ka propozuar me një projekt pikëpamje se si do duhej të ishin vlerat dhe parimet që rregullojnë çështjen e komuniteteve pakicë në Kosovë.

Çështja e Asociacionit është Thembra e Akilit në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Palët në vitin 2013 u morën vesh për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Serbia ngulë këmbë për themelimin e tij, ndërsa Prishtina ka hezituar gjatë të themelojë Asociacionin që e sheh si kërcënim për një ‘Republikë Serbe’ si ajo në Bosnje e Hercegovinë.

Shtetet e Bashkuara thanë se Asociacioni është mundësi për të ulur ndikimin e Beogradit në veri të Kosovës dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin evropian, duhet ta themelojë Asociacionin.

Zotimi për themelimin e tij u përtëri në marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit më herët gjatë këtij viti në një përpjekje perëndimore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thirrjet për themelimin e Asociacionit u shtuan pas krizës së fundit në veri të Kosovës bashkë me shqetësimet për ripërtëritje konfliktesh në rajon.

Marrë nga VOA


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu