Një video erotike është pulbikuar sot në rrjetet sociale, ku shfaqet kryetari i bashkisë, i zgjedhur në detyrë, presidenti i FK Kukësit, Safet Gjici.
Në fakt, fillimisht u raportua se kjo ishte një video që do të dilte në një emision investigativ, në një televizion kombëtar, por mësohet se dje videoja nuk është shfaqur dhe emisioni është ndryshuar, por më pas video ka rrjedhur, është shpërndarë pafundësisht gjatë ditës së sotme në rrjetet sociale.
Kryebashkiaku është shkarkuar, por ndërkohë ai kishte deklaruar edhe dorëheqjen e tij nga detyra, duke kërkuar ndjesë për videon.
Menjëherë opozita reagoi duke kërkuar që të shpallen zgjedhjet në bashkinë e Kukësit dhe të zhvillohen sa më shpejt.
Nga ana tjetër, mediat pranë Qeverisë po përpiqen të hedhin dritë se kush është personi apo autorja e videos dhe pse e ka bërë atë, duke e quajtur atë shantazhuese, gjobaxhie e të tjerë.
Por, tashmë ka një fakt, Safet Gjici është shkarkuar dhe pritet që në Kukës të zhvillohen zgjedhjet.
Kur mund të zhvillohen zgjedhjet për bashkinë e Kukësit?
Sipas të dhënave zyrtare që CNA ka siguruar nga KQZ, sqarohet se së pari duhet të deklarohet vakanca, pra Prefekti i Qarkut të Kukësit të njoftojë qeverinë që vendi i kryetarit të Bashkisë është vakant pas dorëheqjes apo shkarkimit të Safet Gjicit, varet se cila është procedura që do të njihet nga Prefekti.
Më pas, Qeveria njofton Presidentin e Republikës. Presidenti i Republikës ka vetëm 48 orë për të shpallur datën e zgjedhjeve.
Data e zgjedhjeve nuk mund të jetë më vonë se 45 ditë ose më pak se 30 ditë, nga dita që Presidenti ka marrë njoftimin.
Pra, në rast se do të shkojmë në procedurë normale, sikur prefekti i Kukësit të deklaronte vakancë ditën e hënë, do të duhet të llogariten ditët që Qeveria të njoftojë Kreun e Shtetit, dy ditët e Presidentit dhe afati që shkon nga 30 në 45 ditë që zoti Bajram Begaj, President i Republikës të bëjë shpalljen e zgjedhjeve.
Çka do të thotë se gjithçka mund të shkojë në mes të muajit gusht, në maksimumin e mundshëm të shpalljes së vakancës dhe mbylljes së plotë të procedurës deri në shpalljen e datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, zoti Begaj.