Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sërish sot për aksionin ndaj kampit të muxhahedinëve një ditë më parë në Manzë, ku një person humbi jetën dhe disa u plagosën.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha iu rikthye edhe marrëveshjes që ka bërë qeveria e drejtuar prej tij kur mori grupin e parë të muxhahedinëve.
Pjesë nga fjala e Berishës
Narkoshteti shqiptar gjeti ditën e refugjatëve për këtë reprezalje. Përmasat e të cilës sipas mediave janë krejt të tjera nga ato që thonë Çuçi dhe Rumbullaku. Mediat informojnë për gjymtyrë të thyera të cilat nuk mund të ndodhnin kurrë me sprej, për koka të çara, për plagosje të rënda. Pra një brutalitet dhe një dhunë e egër e dënueshme, e papranueshme. Kërkesës së Departamentit të Shtetit, gjatë një vizite që unë bërë në Uashington, për të marrë dhe strehuar në Shqipëri muxhahedinët, unë i dhashë këtë përgjigje: së pari, po, do marrim një kontingjent pilot për të parë si po ecën sistemi dhe qëndrimi i tyre. Gjatë kohës sime kërkesa ishte që të hiqeshin nga lista e grupit terrorist. Kërkesa tjetër ishte që në Shqipëri do vinin nën ombrellën e OKB. Ata duhet të gëzonin të gjithë të drejtat e njerëzve refugjatë, të përcaktuara nga konventat ndërkombëtare dhe mbrojtjen e tyre. Autoritetet e SHBA-ve i kanë pranuar këto kërkesa.