Franca po përgatitet për protesta të mëtejshme pasi policia qëlloi për vdekje një adoleshent, një incident për të cilin presidenti francez Emmanuel Macron tha se “ka prekur të gjithë kombin”.
Përleshjet shpërthyen mes demonstruesve dhe policisë gjatë natës pasi një oficer vrau 17-vjeçarin në një periferi të Parisit, Nanterre.
Adoleshenti, i identifikuar si Nael M, dyshohet se nuk zbatoi urdhrin e policisë për të ndaluar makinën e tij të martën.
Ai po ngiste një makinë me qira kur policia e tërhoqi për shkelje të disa rregullave rrugore, thanë prokurorët.
Një video që qarkullon në mediat sociale, e vërtetuar nga agjencia franceze e lajmeve AFP, tregon dy oficerë policie që përpiqen të ndalojnë automjetin, me njërin që i drejton armën shoferit nga dritarja dhe qëllon nga një distancë e afërt kur ai me sa duket vazhdon të drejtojë makinën.
Makina ka lëvizur disa metra para se të përplasej. Shërbimet e urgjencës u përpoqën ta ringjallën adoleshentin në vendngjarje, por ai vdiq pak më pas.
Të shtënat vdekjeprurëse të policisë ishin “të pashpjegueshme” dhe “të pafalshme”, tha Macron të mërkurën, ndërsa qeveria po përpiqej të lehtësonte tensionet.