Lufta e Rusisë kundër Ukrainës po ndryshon Europën

0

Kanë filluar të shfaqen konturet e një Europe të re, për shkak të luftës mizore të Rusisë kundër Ukrainës. Në skajin lindor dhe verior të kontinentit, Finlanda dhe Suedia po u bashkohen NATO-s.

Bashkimi Europian i ka dhënë Ukrainës dhe Moldavisë “statusin kandidat” për anëtarësim në klubin prej 27 anëtarësh.

Ndryshime të thella po ndodhin gjithashtu në çiftin që ¬¬ka qenë historikisht bërthama e Europës. Pas një sërë ndërlikimesh, udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, më në fund po përpiqen të kuptojnë se çfarë do të thotë e gjithë kjo për vendet e tyre dhe aftësinë për të kapërcyer dallimet mes njëri-tjetrit, shkruan The Economist.

Po ndodh një ripërtëritje franko-gjermane, të paktën nga ana simbolike. Në qershor, Olaf Scholz mirëpriti presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Potsdam, qytetin ku jeton kancelari gjerman.

Të dy shëtitën së bashku në qytezën e bukur dhe hëngrën darkë për rreth tre orë. Kjo është pjesë e një përpjekjeje për të lënë pas mosmarrëveshjet e mëparshme midis tyre.

Marrëdhëniet kishin arritur në pikën më të ulët vjeshtën e kaluar, kur Franca anuloi një takim të përbashkët të kabinetit. Tani ai takim është mbajtur. Dhe gjermanët e kanë ftuar zotin Macron për një vizitë të plotë shtetërore në korrik, e para për një president francez në 23 vjet.

Secili nga vendet po përballet me një sfidë ndaj parimeve të tij themelore. Për Gjermaninë, lufta ka përmbysur themelet e modelit të saj ekonomik të pasluftës, mbështetur në energjinë e lirë ruse dhe eksportet në Kinë.

Vendi është larguar nga gazi rus. Për dekada të tëra, Gjermania ka qenë e ndrojtur ndaj idesë së fuqisë ushtarake, ndërsa tani po jep furnizime bujare ushtarake për Ukrainën. Ajo po shpenzon 100 miliardë euro shtesë (107 miliardë dollarë) për riarmatosjen. Mund të duhet kohë që Zeitenwende (“pika e kthesës historike”) të hyjë në fuqi; por Gjermania po ndryshon.

Për Francën, ndryshimi është më pak i dukshëm, por jo më pak i thellë. Ndryshimi më i madh nuk është në modelin ekonomik të vendit, i cili nuk është i varur aq shumë nga eksporti sa ai i Gjermanisë. Ndryshimi nuk lidhet as me energjinë bërthamore, sepse Franca gjithsesi nuk ka qenë shumë e varur nga gazi rus.

Përkundrazi, ndryshimi i Francës qëndron në faktin se ajo po rimendon kufijtë, aleancat dhe sigurinë europiane. Historikisht, Franca nuk ka qenë entuziaste për zgjerimin e BE-së. Ajo i trajtonte shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore si vende inferiore.

Në vitin 2003, kur vendet nga Europa Lindore që aspironin për t’u anëtarësuar në BE, mbështetën pushtimin e Amerikës në Irak (të cilin Franca e kundërshtonte), presidenti i atëhershëm francez, Jacques Chirac, deklaroi se këto vende “kishin humbur një mundësi për ta mbyllur gojën”. Në vitin 2019, Franca bllokoi me veto hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu