Shkurtim buxheti, Kukësi nuk është më për trofe…..

0

Kukësi duket se do të hyjë krejtësisht me objektiva të tjerë këtë sezon, duke e krahasuar me edicionet e kaluara.

Kohët kur verilindorët hynin si pretendentë kryesorë për titull kampion apo Europë, duket se janë të largëta. Me largimet e shumta nga edicioni i kaluar, krahasuar me afrimet me “pikatore” dhe djem të rinj që kanë ndodhur deri më tani, kanë bërë që Kukësi të mos e ketë më petkun e pretendentit. Këtë e pranojnë në klub, duke qenë të qartë për vështirësitë financiare që do të ketë gjatë këtij sezoni.

Megjithatë, nëse nuk mund të pretendojnë titullin kampion, drejtuesit pohojnë se nga ana tjetër nuk mund të diskutohet qëndrimi në Superiore. Për vetë emrin dhe traditën që ka krijuar klubi i Kukësit vitet e fundit në futbollin shqiptar, më e pakta në çdo rrethanë është mbijetesa. Një fakt që drejtuesit ua kanë bërë të ditur edhe vetë lojtarëve aktualë, që në Kukës mund të mos pretendohet për titull, por të paktën edhe të mos vënë në diskutim mbijetesën. Me pak fjalë, këtë vit Kukësi hyn në kampionat për të synuar mbijetesën ose maksimumi mesin e artë të tabelës.

SHKURTIM BUXHETI Nga ana tjetër, gazeta mëson se ka pasur edhe një shkurtim të buxhetit për këtë sezon, duke mos shpenzuar më si dikur, por duke u fokusuar më shumë te të rinjtë e talentuar që kanë perspektivë. Duket se mungesa prej tri vitesh në Europë ka sjellë efektet e saj, pasi dihet që klubet shqiptare e shohin këtë kompeticion si mundësinë më të mirë për të përfituar të ardhura. Përjashtim nuk bën as Kukësi, ku dihet që shpenzon shumë edhe për seancat stërvitore, sepse stërvitet në një kompleks privat në kryeqytet.

Nga ana tjetër, shpenzon edhe për akomodim dhe ushqim të lojtarëve që nuk jetojnë në kryeqytet dhe në këtë klub kanë qenë të shumtë lojtarët e huaj përgjatë këtyre viteve. Për momentin, që nga viti i kaluar nuk ka më shpenzime edhe për stadiumin, pasi i zhvillon takimet në “Kukës Arena”. Për këtë arsye, klubi do të tregohet i kujdesshëm që brenda një buxheti të limituar të krijojë një ekip rivalizues në kampionat, edhe pse normalisht ky sezon pritet të jetë mjaft i rivalizuar.Burime në klub tregojnë se tavani i rrogave do të jetë modest, madje ka pasur bisedime me lojtarët që kanë qenë edhe në sezonin e kaluar, për të ulur pagën. Kjo sigurisht që ka krijuar një stepje të madhe, prandaj dhe largimet kanë qenë të shumta. Në klub qarkullojnë zëra se ka pasur interesim për të blerë aksionet e zotëruara nga familja Gjici, por deri më tani zyrtarisht nuk është konfirmuar diçka e tillë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu