Lulzim Basha i është përgjigjur Sali Berishës, i cili e akuzoi sërish pasardhësin e tij në krye të PD-së, si një peng të Edi Ramës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Basha shkruan se Berisha kërkon me çdo kusht e mjet të mbajë peng PD për interesat e veta personale.
“Koha është ilaçi më i mirë. Dhe koha e rrëzoi malin e gënjeshtrave që ngriti para shqiptarëve ai që kërkon me çdo kusht e mjet të mbajë peng PD për interesat e veta personale”, shkruan ish kreu i PD, i cili synon sërish të marrë drejtimin e partisë.
Basha shkruan më tej se “Që ti japim fund baltosjes, që të tregojmë kush është i korruptuar e kush jo, kush është peng e kush jo, kush është i lidhur me krimin e kush jo, le të votojmë vetingun për politikanët. Të nisë transparenca nga unë e më pas të gjithë këta që sot e 32 vite mbajnë peng Shqipërinë”.