Një adoleshente amerikane është dënuar me 90 ditë burgim, pasi ka marrë pilula për abort për t’i dhënë fund shtatzënisë, dhe më pas e ka asgjësuar fetusin me ndihmën e nënës së saj.
Celeste Burgess, tani 19-vjeçare, është shpallur fajtore për fshehje ilegale të trupit të njeriut, pasi e ka kryer abortin pas javës së 20-të të shtatzënisë, dhe ka shkelur kufizimin e vendosur nga ligji në shtetin Nebraska.
Nëna e saj, Jessica Burgess, 42-vjeçare, përballet me pesë vjet burgim pasi ka ndihmuar vajzën e saj.
Policia ka nisur hetimet për nënën dhe vajzën në qershor të vitit 2022, para vendimit të Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara, e cila e ka hequr të drejtën për abort, dhe ua ka lënë në dorë shteteve që të hartojnë rregullore për këtë procedurë.
Nëna dhe vajza, që atëherë ishte 17-vjeçare, kanë jetuar në Nebraska, ku abortet kanë qenë të ndaluara pas javës së 20-të të shtatzënisë, teksa tani ligji e ndalon abortin pas javës së 12 të shtatzënisë.