Është zbardhur ngjarja e sotme në Selenicë, ku si pasojë e një shpërthimi humbi jetën Durmish Glluçaj 56 vjeç. Ai po dilte nga banesa e tij drejt oborrit për të parë shpendët e tij, kur ndodhi një shpërthim. Më pas 56 vjeçari humbi jetën në auto-ambulancë rrugës për në spital.
Ekspertët xhenierë dhe grupet hetimore filluan punën më pas për të evidentuar shkakun e vërtetë të shpërthimit prej të cilit humbi jetën Glluçaj. Fillimisht flitej se shpërtheu një bombul gazi, më pas kishte dyshime që mund të ishte një lëndë plasëse që shpërtheu.
Ekspertët pas verifikimeve në drejtimin e Prokurorisë Vlorë bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore. Nga hetimet rezultoi se mëngjesin e sotëm në territorin e jashtëm të shtëpisë së Durmish Glluçaj shpërtheu një sobë e vogël me gaz prej të cilit humbi jetën 56 vjeçari.
Njoftimi i Policisë:
Selenicë, Vlorë/Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e sotëm, në Selenicë, ku si pasojë e një shpërthimi, humbi jetën shtetasi D. G., 56 vjeç.
Dokumentohet me prova ligjore se në territorin e jashtëm të banesës së shtetasit D. G., ka shpëthyer bombola e një sobe të vogël me gaz.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, dhe nga eskpertët xhenierë, në drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, të cilët shkuan në vendngjarje menjëherë pas njoftimit, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i ngjarjes së raportuar në sallën operative të DVP Vlorë, rreth orës 06:15 të mëngjesit të sotëm.
Nga hetimet rezulton se mëngjesin e sotëm, në territorin e jashtëm të banesës së shtetasit D. G., 56 vjeç, ka shpërthyer një sobë e vogël me gaz. Nga shpërthimi është dëmtuar shtetasi D. G., i cili si pasojë ka humbur jetën, gjatë transportimit në spital.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.