Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ndodhet në Zhamë për të monitoruar nga afër situatën e zjarrit masiv që përfshiu pasditen e sotme kodrat me ullinj në fshatin Zhamë.
Prej më shumë se 4 orësh dhjetëra forca zjarrfikëse, punonjës të Policisë dhe administratës së bashkisë janë të angazhuara për vendosjen nën kontroll të zjarrit.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Lushnjë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zham ka rënë zjarr, bënë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në Komisariat të autorit të dyshuar të zjarrvënies.
Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj, bimësi dhe shkurre, duke rrezikuar edhe banesat.
Sakaq, zjarri vijon të jetë aktiv, por është bërë i mundur neutralizimi i tij pranë banesave duke larguar rrezikun.
Policia bën me dije se zjarrfikësit do të jenë në gatishmëri përgjatë gjithë natës për të mbajtur nën kontroll flaket dhe mëngjesin e nesërm pritet edhe ndërhyrje nga ajri nëpërmjet helikopterit.