“Kurrë mos harro”, është quajtur operacioni i fundit i bujshëm i policisë i cili zbuloi sekrete të shumta të botës së krimit. Disa ditë më parë, u arrestua në ‘qytetin e tij’, Artan Tafani, tashmë i penduar i drejtësisë. Gjë që ka sjellë marrjen në mbrojtje të familjes së tij nga policia.
Tafani u arrestua mbrëmjen e së shtunës më 23 shtator 2023 në një hotel pranë një karburanti në autostradë në zonën e Lushnjës, një informacion i bërë me dije për mediat disa ditë më pas.
39-vjeçarit i është gjetur një pistoletë me fishekë në fole, metadon, një kartë greke e falsifikuar sipas dyshimeve dhe 200 euro.
Dinamika dhe aktiviteti i ngjarjeve ku ka qenë i përfshirë është i lartë dhe i shtrirë në disa vite, por si ka qenë e shkuara e të penduarit të drejtësisë?
Lindur në Lushnjë dhe me emrin e parë njihej si Marjusi. Jeta e tij, do të merrte një rrjedhë të frikshme, me vrasjen e të atit në 97’ në sytë e tij. Vetëm 10 vjeç, kur babai iu vra para këmbëve, në zemrën e tij u mboll fara e hakmarrjes. Pas kësaj ngjarje, së bashku me të ëmën do të largoheshin për në jug, për t’u kthyer sërish në 2010 në Lushnjë, ku “rastësia” e bashkoi me Laert Haxhiun, i cili kishte një të shkuar të ngjashme.
Të dy, do të kryenin në vitet e mëvonshme masakrat e përgjakshme të marrjes së disa jetëve. Sipas burimeve, ndoshta gjakftohtë, por jo tërësisht i kthjellët, pasi ka qenë një përdorues i lëndës narkotike heroinë. Pas gjithë kësaj jete, si një “ushtar i djallit”, Tafani vendosi të rrëfejë çdo vepër kriminale, duke sjellë shuarjen e një bande të tërë kriminale.