Inter Miami vuan kur nuk luan Lionel Messi. Skuadra nga Florida pësoi humbjen e 16 sezonale në MLS dhe sheh t’i shuhen shpresat për pjesëmarrjen në play-off pas përfundimit të kohës së rregullt. Disfata mbërriti nga Chicago, ku protagonist ishte Xherdan Shaqiri. Mesfushori sulmues me origjinë shqiptare shënoi dopietë golash në këtë takim, të fituar me shifrat e përgjithshme 4-1. Gjithçka e vulosur në pjesën e dytë, e cila prodhoi 5 gola. Shaqiri hapi festivalin e rrjetave me një të majtë të saktë nga shumë pranë portës.
Miami u përpoq të reagojë, por kjo penallti e shndërruar në gol nga Martinez vlejti thjeshtë për statistikë. Haile-Selasie shënoi dopietë golash në harkun kohor të 4 minutave, për t’i lënë më pas hapësira Shaqirit për të kompletuar performancën e tij të jashtëzakonshme. 31-vjeçari lëvizi bukur në hyrje të zonës dhe sërish me të majtën kapi në befasi portierin kundërshtarë për t’i dhënë kështu fitoren Chicagos që tashmë rrit shpresat për tu kualifikuar në raundin play-off në rrugën drejt titullit.
Pesë gola dhe pesë asiste për futbollistin shqiptar, që fatkeqësisht nuk pati mundësinë të kishte përballë në fushë yllin argjentinas, Lionel Messi, që vazhdon të qëndrojë në infermieri për arsye dëmtimi.