SPANJE – Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, mund të vazhdojë kontratën me klubin madrilen në fund të sezonit, ndonëse u ka premtuar drejtuesve të Federatës Braziliane të Futbollit se do të marrë përsipër kombëtaren e këtij vendi, raporton e përditshmja spanjolle As.
Ancelotti ka kontratë me Realin deri në qershor të vitit të ardhshëm. Mediat spanjolle dhe braziliane njoftuan pak muaj më parë se eksperti italian ka pranuar të drejtojë kombëtaren braziliane nga qershori i vitit të ardhshëm.
AS shkruan se Ancelotti ka ndryshuar mendje dhe dyshohet se i ka thënë drejtuesve të FS Brazilit se Reali është prioriteti i tij dhe ka shtuar se është në pritje të një oferte nga klubi madrilen për të vazhduar bashkëpunimin.
Mediat spanjolle raportojnë se trajneri italian kërkon të dëgjojë mendimin e familjes së tij përpara se të marrë një vendim përfundimtar.
“Ancelotti është në fazën e karrierës së tij kur paratë nuk janë prioriteti i tij, por reputacioni dhe respekti që gëzon te Reali si nga drejtuesit e klubit ashtu edhe nga tifozët. Po ashtu, skandalet e shumta në Federatën e Futbollit të Brazilit janë faktorë që e largojnë Ancelottin nga pozita e trajnerit të këtij vendi – thuhet në tekstin e AS.
Ancelotti (64) e drejtoi Realin nga viti 2013 deri në vitin 2015 dhe e mori sërish klubin madrilen në vitin 2021. Me Realin ai fitoi 10 trofe në dy mandate.