TIRANË- Apeli i Posaçëm ka rrëzuar në seancën e sotme kërkesën e Fredi Belerit, i cili ka kërkuar të betohet si kryebashkiak i Himarës.
Ndërkohë avokati i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Geni Gjyzari për mediat ka thënë se do të ankimojmë vendimin e sotëm në Gjykatën e Lartë.
“Duhej bërë betimi, nuk e lënë të bëjë betimin. Ne do ankohemi në Gjykatën e Lartë. Është vendim me elementë të frymës fashiste. Vendimi i shkallës së parë stimulon veprimet e qeverisë për shpalljen gjendjes së jashtëzakonshme në Himarë. Nuk është e vërtetë. Gjykata e la në fuqi pa ndryshuar asnjë pjesë të asaj vendimi. Nuk na u dha arsyetimi, do ta marr tani. Jemi në fund të procesit, e njëjta treshe e kanë marrë rrugë për ta dënuar dhe marrjen e lejes së posaçme. Në kundërshtim edhe me raste të tjera. E duan me çdo kusht bashkinë e Himarës”, tha avokati.
Në seancën e sotme ishin të pranishëm avokatët e Fredi Belerit, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe ambasadorja greke.