LUSHNJE- Disa ditë pas shpërthimit që u regjistrua në Lushnjë ku humbën jetën babë e bir policia ka referuar në Prokurorinë e Fieri materialet për ngjarjen. Mësohet se referimi është bërë për tre vepra penale, ndërtim i paligjshëm pasi objekti ka devijuar nga leja, shkatërrim prone nga pakujdesia dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë. Më tej mësohet se nuk ka ende persona që janë marrë nën hetim.
Kujtojmë se aksidenti ndodhi pasditen e 1 marsit, ku të vdekur mbetën babë e bir Roland dhe Elidon Hoxha. Pas shpërthimit babai ka ndërruar jetë në vinç, ndërsa i biri u transportua me ambulancë në drejtim të Tiranës, por fatkeqësisht rrugës ka ndërruar jetë.
Nga shpërthimi pati edhe të plagosur, ku tre prej tyre vijojnë të jenë të shtruar në spital, mes tyre edhe deputeti socialist Bujar Çela. Sokol Lumi dhe Bujar Çela, ndodhen nën kujdesin e mjekeve në spitalin e Traumës, ndërsa në Lushnje ndodhet i plagosuri tjetër. Ndërkohë kryetarja e bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa tha për mediat se është përgatitur grupi i ekspertëve dhe ditën e hënë do të fillojë verifikimi i të gjitha banesave dhe bizneseve të cilët janë dëmtuar nga shpërthimi.