Ish-kryeministri britanik David Cameron, tashmë sekretar shteti për çështjet e jashtme në qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak, pritet të vizitojë Tiranën.
Burime diplomatike në Londër dhe Tiranë thanë se kjo vizitë e Lord Cameron parashikohet të zhvillohet në 22 maj nëse nuk do të ketë ndryshim agjende në varësi të zhvillimeve në Britaninë e Madhe.
Në fokus të vizitës nuk është ndonjë çështje specifike, por vijimi i mbështetjes britanike për vendin tonë.
Njëkohësisht, tregon rikthimin e vëmendjes pas Brexit për Ballkanin Perëndimor nga Britania e Madhe. Disa ditë më parë, kryeministri Rama pati një bisedë telefonike me homologun Rishi Sunak, i vënë nën presion nga opinioni publik dhe të tijtë brenda Partisë Konservatore për kalimet e Lamanshit me gomone të emigrantëve ilegal.
Në kryeqytet kanë nisur përgatitjet, ndërsa në sheshin “Nënë Tereza” është vendosur posteri ku shkruhet “Mirë se vjen Lord Cameron”.
Në Tiranë, Lord Cameron pritet të vlerësojë, koordinimin me Ministrinë e Punëve të Brendshme në parandalimin e emigracionit ilegal dhe bashkëpunim e SPAK me NCA kundra krimit të organizuar.
Në 2022, mbërritën me gomone 13 mijë shqiptarë, kjo shifër ra me 90% gjatë 2023 ku shkuan vetëm 900 shqiptarë, ndërsa gjatë periudhës Janar-Prill 2024 hynë me gomone vetëm 20 shtetas shqiptarë.