DHËRMI- Janë publikuar pamjet nga vendi ku është gjetur trupi i Eraldo Nevruzit, i cili u vra në orët e para të ditës së djeshme në hotelin në Dhërmi ku punonte si recepsionist.
Trupi është gjetur ditën e sotme në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno. Autori i ngjarjes, Gerald Shehu, pas vrasjes u arratis me një makinë tip “Audi”, e cila u gjet afër portit në Sarandë dhe më pas udhëtoi drejt Qafë Botës, i ndihmuar nga persona të tjerë. 43-vjeçari kishte destinacion përfundimtar Anglinë por është kapur në aeroport nga Policia greke me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. Ndërkohë sot janë vënë në pranga edhe dy bashkëpunëtorët e tij, punonjësit e hotelit “Greccia”, Daniel Qosja dhe David Larti.
Sipas dëshmisë së dy punonjësve në polici vrasja ka ndodhur pas një konflikti mes autorit dhe viktimës, ku pasi kanë dalë nga dhoma e stafit, Shehu e ka qëlluar Nevruzin me dy plumba tek shkallët e hotelit. Nga hetimet e deritanishme thuhet se dy janë pistat paraprake të hetimit, një për konflikt banal të çastit dhe tjetra për njohje të mëparshme dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme në Angli.