Ndryshon VKM për degët prioritare. Të gjithë studentët që do të zgjedhin një nga degët prioritare në 5 fushat e studimit, për të mbajtur mbështetjen e plotë financiare prej 40 mijë lekësh duhet që në vitet në vijim të kenë një mesatare të studimit mbi 8.
Të gjithë studentët e tjerë, të cilët në vitin e 2 dhe në vijim do të kenë një mesatare nën 8 do të marrin një mbështetje financiare më të ulët.
“Lidhet me mënyrën se si Ministria kërkon t’i vë theksin cilësisë së arsimit. Do të thotë që studenti që futet në vitin e parë në programet prioritare do të ketë mbështetje financiare bursë të plotë e barabartë me pagën minimale, për të vijuar me vitet e tjera. Janë futur disa kritere që janë të bëjnë me arritjen akademike të studentit, nëse studenti do të ketë mesatare mbi 8 do të marrë 100 % pagën minimale, nëse arritjet akademike arrijnë nga 6.5-8 do marrë 60 % të bursës dhe me mesatare deri 6.5 do marrë 30 % të bursës për të patur studentët cilësor për t’ju përgjigjur nevojave të tregut të punës. Kriteri 6.5 është kriter për t’u futur në institucionet e arsimit të lartë”, thotë Mirela Cami, Drejtoreshë e Përgjithshme në MAS.
Po ashtu në VKM për degët prioritare përcaktohet edhe ngritja e një komisioni ad hoc, i cili do të përcaktojë se sa do të jetë numri i studentëve përfitues në degët prioritare.
“Ky komision do të ketë si fokus apo si përgjegjësi kryesore përcaktimin e programeve prioritare dhe kuotave të financimit të programeve prioritare”.