Rreth 1000 turistë u evakuuan nga një fshat turistik në rajonin jugor italian të Pulias ditën e sotme, pasi një zjarr me përmasa të mëdha shpërtheu në një zonë pyjore afër kompleksit ku qëndronin turistët.
Zjarri filloi të mërkurën në mëngjes rreth gjirit të San Felice, një zonë bregdetare e pyllëzuar pranë qytetit të Vieste në Gargano, një gadishull në pjesën veriore të Pulias.
Flakët u shtynë nga erërat e forta drejt fshatit Baia di Campi, i cili ka kapacitetin për të pritur 1200 persona dhe ndodhet rreth një kilometër nga vendi ku filloi zjarri.
Zjarrfikësit dhe një helikopter ndërhynë në zonë për shuarjen e zjarrit, por situata paraqitet kritike.