Është arrestuar këtë të diel një i shumëkërkuar i policisë i cili prej katër vitesh ndodhej në arrati.
I njohur si një nga të fortët e Pogradecit, Spartak Çela rreth 39 vjeç është vënë në pranga në fshatin e tij në Velçan.
Ky person në 2020 qëlloi me kallashnikov drejt disa personave në një lokal në Velçan të Mokërs.
“Pasditen e sotme pas disa informacioneve të marra në rrugë operative, policia kishte mësuar se ai ishte kthyer në banesën e tij në fshatin Velçan.
Efektivët e policisë kanë rrethuar banesën dhe kanë bërë të mundur arrestimin e 39 vjeçarit”,-thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas informacioneve të ardhura nga policia ai po transportohet drejt qelisë së paraburgimit në Drenovë.
Kujtojmë se për 4 vite me radhë që nga ngjarja e parë kur ai shtiu me armë drejt 5 personave në lokalin e fshatit, kishte mundur të fshihej shumë mirë ndaj policisë, në malësinë e Mokrës.
Çela doli sërish në skenë më 26 prill të vitit 2024 kur kërcënoi punonjësit e taskforcës së ndihmës ekonomike po në Mokër dhe arriti të fshihej sërish.