Shpëtohen 8 turistë hollandezë në Pukë, njërin e kishte pickuar gjarpri

0

Tetë turistë hollandezë janë shpëtuar falë policisë, punonjësve të zjarrfikëses dhe banorëve që janë angazhuar për kërkimin e tyre.

Turistët humbën rrugën gjatë eksplorimit të Majës së Murgës, ku njëri prej tyre ishte pickuar nga gjarpri. Janë dashur pesë orë kërkime për autoritetet vendase që të binin në gjurmët e turistëve të cilët ndodhen tashmë në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i policisë:

Salla Operative e Komisariatit të Policisë Pukë mori njoftim se grupi i turistëve kishte humbur rrugën gjatë eksplorimit të Majës së Murgës dhe njëri prej tyre ishte pickuar nga një gjarpër.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Pukë, së bashku me Ekipin e zjarrfikësve të Bashkisë Pukë, u nisën në drejtim të zonës për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët.

Grupi i Forcave Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, së bashku me një ekip mjekësor, shkuan në ndihmë turistit të lënduar nga pickimi i gjarprit, i cili pas marrjes së ndihmës mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë vijuar kërkimet për gjetjen e pjesës tjetër të grupit.

Pas 5 orë kërkimesh, të gjithë turistët u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore dhe u shoqëruan nga punonjësit e Policisë në destinacionin ku ishin akomoduar.

Turistët falënderuan punonjësit e Policisë dhe ekipin e MZSH Pukë për gatishmërinë dhe ndihmën e dhënë.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin vendin tonë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu