PRISHTINË- Një sherr mes disa personave ka ndodhur mesditën e sotme në Prishtinë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:20 të mëngjesit, në rrugën “Lidhja e Pejës”. Sipas raportimeve, katër persona kanë mbetur të lënduar, njëri prej të cilëve dyshohet nga arma e zjarrit ndërsa tre të tjerët kanë pësuar lëndime me mjete të forta.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, njoftoi se pas njoftimit të marrë policia ka shkuar në vendin e ngjarjes për zbardhjen e rrethanave. Ahmeti deklaroi se janë shoqëruar në polici 13 persona, të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast që është cilësuar si vrasje në tentativë.
“Sot rreth orës 01:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën ‘Lidhja e Pejës’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Bazuar në informacionet e deritanishme raportohet për katër persona të lënduar, njëri prej të cilëve dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime gjatë përleshjes ku dyshohet të jenë përdorë mjete të forta. Deri tani nga ana e policisë janë identifikuar, arrestuar dhe dërguar në mbajtje 13 persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast që është cilësuar si vrasje në tentativë”, ka thënë Ahmeti.