Ambasada turke në Tiranë organizon pritje për Ditën e Republikës së Türkiyes

0

Ambasada turke në Tiranë ka organizuar një pritje zyrtare me rastin e 101-vjetorit të themelimit të Republikës së Türkiyes, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve turke dhe shqiptare dhe personaliteteve të fushave të ndryshme,

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë nën kujdesin e ambasadorit të Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Albana Koçiu, përfaqësues të institucioneve të tjera shqiptare, ambasadorë, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme.

Pas intonimit të himneve të të dy vendeve, ceremonia vazhdoi me mesazhin e presidentit të Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, me rastin e 29 Tetorit, Ditës e Republikës së Türkiyes.

Në fjalën e tij në ceremoni, ambasadori Atay, duke i konsideruar marrëdhëniet mes dy vendeve si të veçanta, tha se viti 2024 ka qenë një vit mjaft produktiv për sa u përket rezultateve konkrete që përmbushin partneritetin strategjik, duke iu referuar edhe vizitave të fundit në Shqipëri të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe ministrit turk të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, si dhe të kryeministrit Rama në Türkiye.

“Gjatë këtyre vizitave, të dy liderët bashkëkryesuan Këshillin e Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë me pjesëmarrjen e ministrave. Ky këshill është një organ i lartë vendimmarrës që vepron nën mekanizmin tonë të partneritetit strategjik”, tha ambasadori turk.

Ambasadori Atay theksoi se synojnë të inkurajojnë të rinjtë shqiptarë që të shohin të ardhmen në vendin e tyre dhe të ndihmojnë në zbutjen e pasojave të emigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar.

Ai tha se hapja e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë nga presidenti Erdoğan dhe kryeministri Rama ishte një tjetër moment i rëndësishëm gjatë këtij viti. “Jemi të kënaqur të shohim se kjo xhami e bukur është kthyer në simbolin e fundit të miqësisë turko-shqiptare”, u shpreh Atay.

Në planin ekonomik, viti 2024 shënoi krijimin në Shqipëri të degës së Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Türkiye (MÜSİAD), tha Atay, duke shtuar se “Besoj se kjo degë do të na ndihmojë të arrijmë objektivin prej 2 miliardë eurosh të vendosur për vëllimin tonë të tregtisë dypalëshe”.

Ambasadori Atay tha se përgëzon miqtë shqiptarë për hapjen e negociatave me BE-në për grup-kapitujt e parë. “Ishte një moment historik. Ne dëshirojmë një përfundim të shpejtë dhe të suksesshëm të negociatave. Türkiye, gjithashtu një vend kandidat për në BE, mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Atay.

101-vjetori i shpalljes së Republikës së Türkiyes është shënuar me programe dhe aktivitete të shumta në Türkiye dhe jashtë saj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu