SERBI- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Novi Sad të Serbisë, ku 8 persona janë nxjerrë të vdekur nga rrënojat pas shembjes së çatisë në një stacion hekurudhor. Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç tha se dy persona janë shpëtuar, por njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë dhe i është prerë këmba.
“Tetë trupa janë nxjerrë nga nën rrënoja, dy persona në spital kanë shpëtuar, me faktin se njërit gjendja është mjaft e rëndë, i është prerë këmba, dy janë nën rrënoja, kemi kontakt me dy persona” tha ai dhe shtoi se nën rrënoja është dhe një vajzë 14-vjeçare.
Më shumë se 80 ekipe shpëtimi nga disa qytete po marrin pjesë në operacionin e shpëtimit me ndihmën e makinerive të rënda, të cilat u morën nga Ministria e Brendshme, por edhe nga ndërmarrjet komunale të qytetit dhe disa kompani private.
“Është një aksion jashtëzakonisht i vështirë që sigurisht do të zgjasë edhe disa orë. Ne do të monitorojmë situatën dhe ju do të informoheni,” u tha Daçiç gazetarëve në vend dhe falënderoi të gjithë në Novi Sad për ndihmën e tyre.
Sipas tij, pas operacionit të shpëtimit do të bëhet një hetim për të përcaktuar se kush është përgjegjës. Novi Sadi është qyteti i dytë më i madh në Serbi, pas Beogradit, i cili është kryeqyteti. Deri më tani janë 30 të plagosur, ndërsa dy persona janë në spital në gjendje kritike për jetën.