Për Vitin e Ri, 10.000 lekë për çdo pension mbi 20 mijë lekë, 15 mijë për ato nën 20 mijë. Bonus tjetër në pranverë, rritje e re pensionesh në 2025
Tiranë, 18 Nëntor 2024/noa.al – Pensionistët në Shqipëri do të marrin muajin e ardhshëm deri në 150 euro bonus si dhuratë për Vitin e Ri, raporton noa.al.
Vendimin e njoftoi kryeministri Edi Rama sot në Parlament, në seancën plenare ku temë diskutimi është projektligji për buxhetin e vitit 2025.
Ai tha se Qeveria shqiptare do të çlirojë pas disa ditëve një fond prej 100 milionë eurosh për bonusin e fundvitit për pensionistët.
Të gjithë ata që pensioni i tyre mujor nuk kalon vlerën 20.000 mijë lekë përfitojnë 15.000 lekë shtesë.
Pensionistët që e kanë pagesën mujore mbi 20.000 lekë përfitojnë 10.000 lekë, njoftoi Kryeministri Edi Rama.
“Dua t’u përcjell pensionistëve lajmin e mirë se në ditët në vijim qeveria do të çlirojë një fond prej afro 100 milionë eurosh për bonusin e fundvitit.
Do të ndahet në dy shkallë: të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, do marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri prej 150 eurosh.
Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonusit të viteve të mëparshme përmes një bonusi në masën 100 euro”.
Rama sqaroi se ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për t’u dhënë më pak atyre që kanë pensionin më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë pension më të ulët”.
Bonus dhe në pranverë
Por ka edhe më. Në pranverë do të ketë sërish një bonus për pensionistët.
“Nga ana tjetër ky nuk është i vetmi hap. Paralelisht me shpërndarjen e bonusit të fundvitit, në ditët para dhjetorit, ne do krijojmë pranë Bankës së Shqipërisë, fondin e një bonusi të dytë.
Ky bonus i dytë do jetë bonusi i pranverës që do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurve vjetore të pensionistëve dhe do jepet në hyrje të çdo pranvere.
Me këto dy bonuse vjetore plus indeksimin e përvitshëm, pensionistët do të mund të prekin kuptimin e shifrave të rritjes shembullore të ekonomisë”, njoftoi Rama.
Vlera e bonusit të pranverës pritet të jetë midis 5 mijë deri 10 mijë lekë për çdo pensionistët.
Rritje e re pensionesh në 2025
Në këtë seancë plenare Rama ishte plot me sihariqe, pasi shpalli dhe vendimin mbi planin e ri të pensioneve në funksion të rritjes ekonomike, që ai tha se sjell të ardhura duke garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të rritjes së pensioneve duke nisur nga viti 2025.