KOSOVË- Incidentet e fundit në veri të Kosovës kanë bërë që policia të shtojë masat e sigurisë. Gjatë ditëve të fundit, u sulmua me granata dore stacioni policor dhe objekti i komunës në Zveçan.
Përmes një deklarate, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka rritur masat e sigurisë në shkallë vendi përfshirë edhe Veriun e Kosovës. Sipas njoftimit të policisë, rritja e masave ka për qëllim shtimin e sigurisë publike për të gjithë qytetarë dhe parandalimin e incidenteve të natyrave të ndryshme.
Njoftohet rritja e prezencës policore në terren, për më shumë patrullime dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët.
“Me planifikimet e parapara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim. Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në terren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se “policia me anë të veprimeve operative dhe atyre inteligjente do të ketë synim që të ruajë rendin e qetësinë publike, të parandalojë aktet kriminale e të hetojë e vejë para drejtësisë të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”.