KORÇË- Një efektiv i Policisë Ushtarake në Korçë është proceduar penalisht pasi ka kanosur me armë zjarri një person në një lokal. Ndërkohë po ashtu është proceduar penalisht edhe pronari i lokalit, 34 vjeç ku ka ndodhur konflikti pasi kishte punësuar efektivin ushtarak, 33 vjeç në mënyrë të paligjshme si punonjës sigurie. Në njoftimin e policisë bëhet me dije se policia ka sekuestruar armën e 33-vjeçari si provë materiale.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. C., 34 vjeç dhe E. F., 33 vjeç. Procedimi penal për këta shtetas nisi pasi nga veprimet hetimore të kryera për një konflikt të ndodhur ditën e djeshme, në një lokal në Korçë, dyshohet se shtetasi E. F., 33 vjeç, me detyrë punonjës i Policisë Ushtarake, ka kanosur me armën e shërbimit, shtetasin V. B., për motive të dobëta, ndërsa shtetasi M. C., pronari i lokalit, e kishte punësuar në mënyrë të paligjshme shtetasin E. F., si punonjës sigurie në lokal. Arma e shërbimit e shtetasit E. F. u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.