Dy shtetas shqiptarë janë vënë në pranga në Luksemburg, pasi akuzohen për kryerjen e disa vjedhjeve me dhunë në banesa.
Në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Together”, i organizuar nga FAST Luksemburgu në bashkëpunim me rrjetin ENFAST, janë arrestuar K. B., alias K. N., 29 vjeç, lindur në Mirditë, dhe K. M., 28 vjeç, lindur në Pukë.
Operacioni u bë i mundur falë sigurimit dhe shkëmbimit të informacioneve nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FAST Albania. Policia e Shtetit njoftoi se ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në lokalizimin dhe arrestimin e dy të rinjve shqiptarë.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit akuzohen për vjedhje të dhunshme në disa banesa në Luksemburg.
Policia e Shtetit ka theksuar angazhimin e saj për të bashkëpunuar ngushtë me homologët ndërkombëtarë për të luftuar krimin e organizuar dhe për të kapur personat e shpallur në kërkim.