Policia e Shtetit ka dhënë një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në koncertin e zhvilluar nga Cinco Cavalli në ambientet e Kompleksit Olimpik në Tiranë, ku një person qëlloi me armë.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar. Gjithashtu bëhet me dije se janë shoqëruar dhe pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët dhanë deklaratën e tyre dhe është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër.
Të shtëna me armë brenda klubit “Cinco Cavalli”, panik tek njerëzit, policia fsheh ngjarjen (VIDEO)
Për arsye se hetimi vijon, policia nuk bën me dije gjeneralitet e tij. Po ashtu sqarohet se nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar.
Njoftimi i Policisë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë në një ambient festiv në rrugën “Liman Kaba” me datë 01.01.2024, në orët e para të mëngjesit, menjeherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve intensive shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, shoqëruan dhe pyetën në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen shumë shtetas të cilët dhanë deklaratën e tyre në lidhje me ngjarjen.
Po në vijim të veprimeve si rezultat dhe i këqyrjes së kamerave, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit që kishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Për arsye se hetimi vijon nuk bëjmë me dije gjeneralitet e tij. Nga ngjarja nuk ka pasur asnjë person të lënduar.
Komisariati i Policisë Nr.2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po punojnë për dokumentimin e plotë e ngjarjes si dhe për kapjen dhe vënien përpara përgjegjesisë penale të autorit të dyshuar.