Moti i keq ‘pushton’ Greqinë/ Ndalohet qarkullimi i mjeteve, mbyllen disa shkolla

0

GREQI- Reshje bore, shira të rrëmbyeshëm dhe temperatura të ulëta kanë përfshirë gati më shumë se gjysmën e Greqisë dhe pritet të vazhdojë edhe dy ditët në vijim. Greqia veriore dhe perëndimore nga mesdita e së dielës, kanë regjistruar reshje intensive bore, të cilat kanë prekur edhe zonat me lartësi më të ulët në Greqinë qendrore.

Gjithashtu në qytetet dhe komunat në veri si Follorinë, Amyntaio, Prespë , autoritetet vendore kanë urdhëruar mbylljen e shkollave. Po ashtu policia rrugore ka dhënë urdhër që të gjithë automjetet të jenë të pajisura ose me gomat e dimrit, ose me zinxhirë pasi shumë pjesë të rrjetit rrugor janë të mbuluara nga bora dhe akulli.

Sa i përket një prej akseve rrugore më të rëndësishëm të vendit, autoritetet kanë vendosur ndalimin e qarkullimit për disa orë në segmente të autostradës Egnatia pranë Siatistës dhe Kozanit si dhe nga Janina deri në Polimilo për kamionët me peshë mbi 3.5 ton dhe njoftojnë gjithë drejtuesit e automjeteve që para se të nisen të informohen mirë nga policia rrugore për kushtet e rrugës.