JEMEN- Njëzet emigrantë etiopianë kanë humbur jetën pasi anija në të cilën ndodheshin u fundos në brigjet e Jemenit, njoftoi Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.
Varka, e cila ishte nisur nga Xhibuti, mbante 34 emigrantë etiopianë, kapitenin jemenas dhe ndihmësin e tij. Ajo u përmbyt të shtunën në Taez, në jugperëndim të Jemenit, për shkak të erërave të forta. Sipas IOM-it, viktimat janë nëntë gra dhe njëmbëdhjetë burra.
Çdo vit, dhjetëra mijëra emigrantë nga Briri i Afrikës kalojnë Detin e Kuq dhe përpiqen të arrijnë në vendet e pasura të Gjirit, për t’i shpëtuar luftërave, fatkeqësive natyrore apo varfërisë. IOM ka regjistruar më shumë se 60,000 ardhje emigrantësh në Jemen në vitin 2024 dhe të paktën 97,200 në vitin 2023.
Ata që arrijnë në Jemen shpesh përballen me kërcënime të shumta sigurie në vendin më të varfër të Gadishullit Arabik, i cili është përfshirë në një luftë civile dhjetëvjeçare. Shumica kërkojnë të shkojnë në Arabinë Saudite ose në vende të tjera arabe të rajonit, ku gjejnë punë si punëtorë ose shërbëtorë.
Kjo tragjedi e fundit “është një kujtesë e kushteve të rrezikshme që migrantët përjetojnë në kërkimin e tyre për siguri dhe një jetë më të mirë”, tha Abdusator Esoev, shefi i misionit të IOM-it në Jemen.