TIRANË – Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për në datën 28 janar seancën gjyqësore për shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike e cila kërkonte të shpallej i papajtueshëm me Kushtetutën, ligji për Akademinë e Shkencave. Seanca ishte planifikuar të mbahej ditën e sotme por është shtyrë për shkak të mungesës së një prej gjyqtarëve.
Deputetja Ina Zhupa foli për gazetarët jashtë ambienteve të gjykatës ku theksoi se Gjykata Kushtetuese sipas saj është e kapur. Ajo shprehet se ligji u miratua nga socialistët në shkelje të Kushtetutës, vetëm për të favorizuar Skënder Gjinushin për t’i dhënë një tjetër mandat në krye të Akademisë së Shkencave. Sipas Zhupës, ligji “Për Akademinë e Shkencave” nuk respekton akademikët sepse nuk garanton barazinë e tyre para ligjit.
Zhupa: “Ajo që na u la, seanca e radhës më 28 janar në orën 10 në Gjykata Kushtetuese. Uroj që të jetë kuorumi me të 8 anëtarët. Sot ishim përgatitur për të bërë parashtrimet tona. Kishim të gjitha provat shkresore, e-mail që janë shkëmbyer gjatë proceduarve në Kuvend. Ligji është anti kushtetues. Në substancë. Shkel themelin e kushtetutës. Gjithë akademikët janë të barabartë para ligjit. Risia që krijonte ky ligj, të gjithë 75-vjeçarët ktheheshin në akademikë emeritus që nuk drejtojnë dot, nuk mbikëqyrin dot. Por vetëm njëri prej tyre mund të jetë kryetar dhe ky është Gjinushi, që drejton, firmos, mbikëqyr. Të gjitha kafshët janë të barabartë por disa janë më të barabarta se të tjerët.
Kjo figurë dihet për njohjet e veta politike. Çdo mbledhje e komisioneve e seancës plenare apo çdo procedurë jo sipas rregullores është nul. Procedurat për këtë ligji janë në shkelje. Relacioni në presidencë ka qenë pa firmat e relatorëve, jo sipas rregullores. Do e vazhdojmë betejën. Nuk lidhet me emrin e një personi. E keni parë si Rama kërkon të kapi çdo institucion, nuk do rotacion në asnjë institucion. Duan të kapin dhe Akademinë e Shkencave me njerëz politikë. Është në interesin e publikut që Akademia e Shkencave të jetë e pavarur, çdo akademikë të jetë i barabartë para ligjit.”