TURQI- Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan ka shpallur ditën e sotme ditë Zie Kombëtare për shkak të tragjedisë së ndodhur në resortin e skive. Ngjarja e rëndë e ndodhur një ditë më parë në provincën Bolu në veri-perëndim të Turqisë ka lënë të paktën 79 persona të vrarë. Gjithashtu në kuadër të hetimeve janë arrestuar edhe nënkryetari i bashkisë së Bolu, Sedat Gulener dhe nënshefi i Zjarrfikësve, Kenan Koskun, duke e çuar numrin e të arrestuarve në 11.
Zjarri shpërtheu rreth orës 3 të mëngjesit në restorantin e hotelit 12 katësh ku shumë prej pushuesve gjetën vdekjen në përpjekje për tu shpëtuar flakëve, u hodhën nga dritaret e hotelit, ndërsa të tjerë përdorën çarçafë për të zbritur nga ndërtesa.
“Ne jemi në dhimbje të thellë. Por duhet ta dini se kushdo që është përgjegjës për shkaktimin e kësaj dhimbjeje nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Përpjekjet për identifikimin e viktimave të tjera janë duke vazhduar,” deklaroi Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, pasi inspektoi vendin.
Ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tundz, tha se hetimet për zjarrin po zhvillohen me shumë ndjeshmëri, të shumëanshme dhe të gjithanshme. Ai deklaroi gjithashtu se qeveria caktoi 7 prokurorë për të drejtuar hetimin për zjarrin.
“Hetimi gjyqësor i nisur nga Prokuroria e Përgjithshme e Bolos në lidhje me zjarrin në një hotel po kryhet me ndjeshmëri të madhe, të shumëanshme dhe të përpiktë…Gjithsej janë arrestuar 11 persona, mes tyre edhe menaxheri i hotelit”, tha ai.