TIRANË – Opozita po zhvillon protestën e radhës mesditën e sotme para Bashkisë së Tiranës. Qytetarët janë mbledhur me pankarta në duar dhe kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pasi ky i fundit është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për 4 vepra penale. Kjo është protesta e 43 që mbahet nga opozita dhe mbështetësit demokratë kundër kryebashkiakut Veliaj.
Ashtu si protestat e mëparshme edhe protesta e sotme është shoqëruar me tensione. Protestuesit kanë dalë në mes të rrugës dhe kanë bllokuar qarkullimin. Një nga qytetarët ka zbritur nga urbani duke u konfliktuar me protestuesit. Më pas në debat janë përfshirë edhe qytetarë të tjerë në autobus duke kërkuar lirimin e rrugës, ndërsa ka ndërhyrë policia.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur në ambientet e SPAK disa herë ku është marrë në pyetje për disa vepra penale. Vetë Veliaj pas daljes nga SPAK pretendoi se akuzat bazoheshin në një letër anonime. Por një ditë më pas SPAK sqaroi se hetimet kishin gjetur prova për të paktën katër akuza që rëndonin ndaj Veliajt.
“Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal (korrupsioni pasiv), por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal”, thuhet në reagimin e prokurorisë.
Mëngjesin e 6 dhjetorit 2024 me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, oficerët e policisë gjyqësore ushtruan kontrolle në zyrat e kompanisë së bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ndërsa më parë i kishin sekuestruar dhe telefonin celular.
Kontrolle u ushtruan dhe në banesën e vëllait të Veliajt. Vetë Prokuroria e Posaçme nuk dha detaje, por u mjaftua të shpjegojë se ka kryer disa “veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal”. Ndaj Veliajt ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë “5D”, që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë.