Personi që shihni në foto është 48-vjeçari Lulzim Visha, i cili u vra gjatë atentatit një ditë më parë në Kamëz.
Ai punonte si postier dhe 200 metra larg banesës së tij në Zall Mner u qëllua me breshëri arme, ndërsa ndodhej brenda makinës së kompanisë ku punonte. Dyshohet se autori apo autorët u pozicionuan në pjesën ballore të makinës, pasi mjeti i viktimës ka shenja të shtënash në këtë pjesë.
Paraprakisht u dyshua se shkak për krimin ishte gjakmarrja, pasi viktima është vëllai i Besnik Vishës, i cili në vitin 1997 ka vrarë me armë zjarri shtetasin Refik Domi. Krimi ndodhi për motive të dobëta në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë. Në 29 qershor 2001, Gjykata e Tiranës e dënoi me 12 vite burg, për veprat penale të “Vrasjes me dashje” dhe të “Armëmbajtjes pa leje”.
Megjithatë, tashmë policia ka arrestuar një person, Eduart Lamin, dhe ka shpallur në kërkim kushëririn e tij, Ervis Lamin, të cilët dyshohen si autorët e ngjarjes. Dy kushërinjtë kishin konflikt pronësie për disa toka me viktimën.