Zbardhet shpërthimi me tritol në Fushë-Krujë! Shpallet në kërkim autori (EMRI)

0

Është zbardhur ngjarja e ndodhur një javë më parë në Fushë-Krujë, ku fasada e një lokali u hodh në erë me tritol.

Mësohet se policia ka shpallur në kërkim Mondi Topallin, i cili akuzohet si autor i dyshuar për vendosjen e lëndës plasëse. Sipas uniformave blu, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e 41-vjeçarit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 31 janar, teksa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar por vetëm dëme materiale.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet autorësia e dëmtimit me lëndë plasëse, të fasadës së një lokali në Fushë Krujë, kryer më datë 31.01.2025. Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 41-vjeçarit, i identifikuar si autor i rastit. Procedohet penalisht babai i këtij shtetasi, pasi nga kontrolli në banesë, iu gjetën 1 armë gjahu dhe municion luftarak që mbaheshin pa leje.

Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të dëmtimit me lëndë plasëse, të fasadës së lokalit të shtetasit B. T., në Fushë Krujë, kryer në orët e para të mëngjesit të datës 31 janar 2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar të rastit, shtetasin M. T., 41 vjeç.

Nga kontrolli në banesën e tij, në fshatin Tapizë, u konstatua se babai i 41-vjeçarit, shtetasi G. T., mbante pa leje, 1 armë gjahu dhe municion luftarak. Për shtetasin G. T. nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.