Mes ovacioneve dhe thirrjeve “Rama ik” e mori fjalën në protestën para Kryeministrisë, kryedemokrati Sali Berisha.
Berisha u kthye pas në kohë një vit më parë, kur ai iu drejtua protestuesve nga shtëpia e tij përmes një video-mesazhi nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” si për të treguar se PD sot është më e fuqishme pasi kreu i saj ka fituar lirinë.
“E nis fjalën time me një përulje para jush. Me një falënderim vëllazëror dhe me përgëzimet e mia për të gjithë ju, demokratët dhe opozitarët. Në pak kohë ne kemi bërë shumë. Le të kthehemi pak vetëm një vit më parë, në shkurtin e kaluar. Ne ishim këtu në shesh në protestën ku lideri i opozitës ishte i arrestuar në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Dhe unë fjalën tim e mbajta nga një ekran televiziv, i burgosur politik. Por në atë protestë ne hodhëm themelet e çdo fitoreje që meritojmë dhe që do kemi. Në atë protestë u dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si feniksi, dhe ata që menduan se do na mposhtin dështuan me turp. Ne jemi të pamposhtur sepse ne u bashkuam. Sepse në mbrojmë kauzë të drejtë. Sepse mbrojmë vlerat më të arrira të njeriut, interesin kombëtar, dinjitetin, familjen, kombin.”
Lideri i opozitës nënvizoi se kjo e sotmja është Partia Demokratike, e cila e bashkuar, sipas tij, do të rrëzojë për të dytën herë një diktaturë në Shqipëri.
“Vijmë sot këtu si opozitë e të pamundurës, e bërë të mundur. Si PD që të pamundurat i bën të mundura. Sot kemi vulë dhe flamur dhe jemi më të bashkuar se kurrë. Sot jemi forca politike më e përkrahur. Sot jemi në këmbë, më të vendosur se kurrë në betejë me diktaturën. Historia e deshi që ne të jemi e vetmja forcë politike që përmbys dy diktatura njëra pas tjetrës. Diktaturën staliniste dhe narkodiktaturën e bastardit të bllokut komunist, Edi Ramës.”
Ish-deputetin Ervin Salianji e cilësoi “martir të gjallë të fjalës së lirë” dhe tha se pavarësisht përpjekjeve “asgjë nuk i tremb opozitarët”.
“Martiri i gjallë i fjalës së lirë u burgos sepse u përball dhëmbë për dhëmbë me klanin mafioz më të rrezikshëm të Shqipërisë, Ballkanit e Europës. Klani Rama-Xhafa! Menduan se do të na trembnin! Por gabuan rëndë, jam ku e kemi prijësin tonë Skënderbeun 200 metra më tutje. Të harrojë kush se mund të trembet populli opozitar, i lirisë”, deklaroi Berisha.