Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në qytetin e Parmës, Itali, ku një person, i dyshuar të jetë me origjinë shqiptare, ka përplasur me makinën e tij dy efektivë të policisë, teksa po përpiqej t’i shpëtonte kontrollit të sigurisë.
Në pamjet e publikuara nga mediat italiane, shihet se drejtuesi i makinës ka tentuar të largohet nga kontrolli i policisë, duke mos u bindur urdhrit për ndalim. Gjatë tentativës për t’u arratisur, ai ka përplasur dy efektivët, por fatmirësisht ata nuk kanë pësuar lëndime të rënda.
Pas ndërhyrjes së shpejtë të një shoferi autobusi, i cili ka parandaluar largimin e tij, autoritetet kanë mundur ta ndalojnë dhe të arrestojnë drejtuesin e mjetit. Ai është dërguar më pas në stacionin e policisë për procedura të mëtejshme.
Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Parmës, dhe ka bërë jehonë për mënyrën dramatike të arrestimit. Megjithatë, veprimet e shpejta të shoferit të autobusi kanë shpëtuar situatën nga një pasojë më e rëndë.