LEZHË- Daut Laze, i cili u arratis nga burgu i Shënkollit para disa ditë vijon ende të jetë në kërkim. Ndërkohë detaje të reja janë zbuluar lidhur me mënyrën se si 49-vjeçari arriti të arratisej. Laze ishte akomoduar në sektorin e të sëmurëve më datë 31 janar, ndërsa më 4 shkurt u largua nga ambientet e burgut.
Nga dëshmitë e punonjësve të burgjeve bëhet me dije se dhomat e të sëmurëve qëndronin pa çelës, vetëm me një shul. Sipas ekspertizës së policisë, Lazes i është dashur vetëm 40 minuta kohë të arratisej.
Nga vëzhgimi i pamjeve filmike rezulton se Laze i cili mbahej në një dhomë ku po merrte mjekim bashkë me dy të paraburgosur, është larguar nga institucioni në orën 03:44 minuta të mëngjesit, ndërsa për të kaluar mbi murrin rrethues ai ka përdorur një palë tuta sportive, të cilat janë gjetur nga ana e policisë.
Në raportin e ekspertizës evidentohet se zgara e dhomës dhe e sektorit është lënë e hapur, pa çelës, gjë të cilën e ka shfrytëzuar Laze për t’u larguar. Gjatë momentit të arratisjes Daut Laze ka mbuluar disa rroba me batanije duke inskenuar prezencën e tij në krevat. Punonjësi i policisë së burgjeve ka kyer kontroll rreth orëve të para të mengjesit dhe e ka konstatuar në distancë por nuk është afruar për të verifikuar nëse ishte ai apo jo.
I burgosuri njihet si person besimtar, dhe kontrolle janë ushtruar në ambjente të ndryshme, përfshirë edhe xhamitë. Ndërkohë, pavarësisht kontrolleve dhe shumës prej 10 mijë eurosh të vënë në dispozicion për këdo që jep informacion, policia nuk ka arritur ende të bjerë në gjurmët e tij.