Një 34 vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se është bashkëpunëtor për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme nafte nga një anije e sekuestruar në Porto Romano.
Drilon Malluta akuzohet se në bashkëpunim me Juxhin Kokën vodhën naftë kontrabandë nga anija.
Malluta dhe Koka i dhanë 10 mijë euro ryshfet policit që ruante anijen, Armand Marvataj dhe më pas naftën që nxorrën nga anija e sekuestruar e zëvendësuan me ujë.
Njoftimi i AMP-së:
Në vijim të hetimeve lidhur me procedimin penal të datës 08.02.2025, ku u arrestua në flagrancë punonjësi i policisë A. M., Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës – Kavajë) në bashkëpunim me DVP Durrës, nga informacionet e marra, ka arrestuar shtetasin D. M., i shpallur në kërkim pasi dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Korrupsion Aktiv i Personit që ushtron funksione publike”.
Arrestimi u bë i mundur pasi me datë 27.01.2025 ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin J. K., i kanë dhënë rryshfet në shumën 10.000 euro punonjësit të policisë A. M., i cili kishte për detyrë ruajtjen dhe sigurimin e anijes “AYA ZANOYBYA” sekuestruar për kontrabandë nafte, dhe kanë vjedhur një sasi të naftës që ndodhej në depozitat e kësaj anije.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse.