33-vjeçari qëllon me kallashnikov pranë banesës pas sherrit me vëllanë, arrestohet nga Policia (EMRI)

0

BERAT – Një konflikt mes dy vëllezërve, që ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit ka alarmuar policinë në fshatin Goriçan të Beratit.

Policia sqaron se ka marrë një telefonatë që Leonard Tafa, 33-vjeç pas sherrit me të vëllanë ka marrë kallashnikovin dhe ka qëlluar disa herë në ajër, duke shkaktuar panik te familjarët dhe banorët e zonës. Forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë arrestuar 33-vjeçarin duke parandaluar kështu një ngjarje të mundshme kriminale.

Bëhet me dije se Tafa ka qënë në gjendje të dehur në momentin e konfliktit. 35-vjeçari është shoqëruar për veprime të mëtejshme proceduriale, ndërkohë policia sqaron se vijojnë kërkimet për gjetjen e armës.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Telefonata”, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, për parandalimin e një ngjarje të mundshme kriminale, në familje.

Në mesnatë, qëlloi me kallashnikov në ajër, në afërsi të banesës së tij, pasi u konfliktua me vëllanë, vihet në pranga 33-vjeçari.

Menjëherë pas njoftimit nga disa shtetas, se familjari i tyre po qëllonte me armë zjarri në ajër, në afërsi të banesës, shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në adresën e dhënë, në fshatin Goriçan.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme dhe i veprimeve profesionale të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit “Telefonata”, u neutralizua autori, shtetasi L. T., 33 vjeç, i cili dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, ishte konfliktuar me vëllanë e tij, dhe më pas kishte qëlluar me kallashnikov në ajër, në afërsi të banesës. Vijojnë kërkimet për gjetjen e armës.