Gjermania është tronditur ditën e sotme, pasi një makinë u fut mes turmës në qytetin Mannheim.
Sulmi dyshohet se është terrorist, teksa deri më tani raportohet për të paktën një të vdekur dhe disa të plagosur. Raportohet se viktima u gjet i shtrirë në tokë dhe i mbuluar me një pëlhurë prej gome, teksa pritet që numri i viktimave të rritet pasi ka të plagosur në gjendje shumë të rëndë.
Kujtojmë se, Mannheim u godit vitin e kaluar nga një tjetër sulm terrorist pasi një burrë sulmoi disa njerëz me thikë në një tubim të organizuar nga grupi anti-Islam “Citizen’s Movement Pax Europe”.
Nga ana tjetër, ky sulm vjen vetëm disa javë pasi një makinë u përplas me një grup njerëzish në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman të Magdeburgut, duke vrarë të paktën gjashtë dhe duke plagosur afro 70. Edhe në Mynih, të paktën 36 persona, duke përfshirë një fëmijë dy vjeçar, u plagosën muajin e kaluar kur një burrë futi një makinë në një turmë prej 1000 grevistësh.
Në dhjetor, vendi u trondit gjithashtu nga një sulm në Bavari, kur një azilkërkues afgan dyshohet se goditi me thikë një djalë dy vjeçar dhe një kalimtar në një park gjerman. Dy persona u vranë dhe tre u plagosën, tha policia.
Në gusht të vitit të kaluar, Gjermania u trondit nga një sulm në Solingen, në të cilin mbetën të vrarë tre persona dhe tetë u plagosën.