MEKSIKË- Trupat e nëntë personave që u zhdukën në Meksikën jugore muajin e kaluar janë gjetur të copëtuar brutalisht dhe janë hedhur në një autostradë së bashku me një qese të mbushur me duart e tyre të prera. Mbetjet e tmerrshme u zbuluan brenda bagazhit të një makine të braktisur në San Jose Miahuatlan, në kufirin e shteteve meksikane të Puebla dhe Oaxaca rreth 280 kilometra nga Mexico City.
DailyMail shkruan se disa nga trupat u gjetën brenda bagazhit në atë që besohet të jetë një tjetër vrasje e egër e kartelit. Autoritetet zbuluan gjithashtu se secilit person iu prenë duart dhe u futën në një qese, e cila gjithashtu u fut me forcë në bagazh.
Raportet fillestare nga mediat meksikane sugjeruan se viktimat ishin studentë, me origjinë nga Tlaxcala, të cilët kishin udhëtuar në plazhet në Oaxaca për pushime. Por një raport i publikuar nga gazeta meksikane NVI Noticias pretendonte se studentët ishin në fakt anëtarë të organizatës kriminale ‘Los Zacapoaxtlas’.
Megjithëse pjesa më e madhe e Meksikës është e shkatërruar nga dhuna e karteleve, provinca e Oaxaca është e njohur gjerësisht si një destinacion popullor turistik falë kuzhinës së saj të njohur botërore dhe plazheve të shkëlqyera. Mediat meksikane kanë identifikuar tetë nga nëntë viktimat deri më tani ndërsa viktima e nëntë ende nuk është identifikuar.