SHBA- SHBA dhe Ukraina po përgatiten për bisedime në Arabinë Saudite këtë javë, por presidenti amerikan Donald Trump ua ka bërë të qartë këshilltarëve të tij se nënshkrimi i një marrëveshjeje për mineralet e Ukrainës nuk mjafton për të rifilluar ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e inteligjencës me Kievin.
Trump dëshiron që marrëveshja, e cila do t’i jepte SHBA-së një pjesë të rezervave minerale të Ukrainës, të ecë përpara, por në të njëjtën kohë ai kërkon një ndryshim qëndrimi nga Volodymyr Zelenskyy në bisedimet e paqes.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga NBC, Trump po kërkon nga Kievi që të jetë më pajtues, madje edhe për të bërë lëshime territoriale ndaj Rusisë. Përveç kësaj, ai kërkon lëvizje drejt mbajtjes së zgjedhjeve në Ukrainë, si dhe largimin e mundshëm të Zelenskyyt nga udhëheqja e vendit.
Mbajtja e zgjedhjeve në Ukrainë është pezulluar për shkak të ligjit ushtarak në fuqi që nga viti 2022, kur Rusia nisi pushtimin e saj. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Brian Hughes tha se Presidenti Trump demonstroi përparimin e Ukrainës duke lexuar mesazhin e Zelenskyyt në takimin e përbashkët.
“Me takimet e ardhshme në Arabinë Saudite, ne presim me padurim lëvizje të mëtejshme pozitive që do të çojnë në fundin e kësaj lufte të përgjakshme,” tha ai.
Ndërkohë, Rusia ka shtuar sulmet e saj në Ukrainë pasi SHBA ndërpreu ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e inteligjencës, duke e bërë të premten një nga ditët më vdekjeprurëse të vitit, sipas Misionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë. Shumica e viktimave u regjistruan në rajonin e Donetskut, i cili është nën kontrollin e Ukrainës.
Zyrtarët amerikanë thanë se nuk kishte prova se ndalimi i shkëmbimit të inteligjencës kontribuoi drejtpërdrejt në sulmet ruse. Të njëjtat burime theksuan se këto sulme ka të ngjarë të ishin planifikuar para ndërprerjes së ndihmave. Në të njëjtën kohë, ligjvënësit republikanë po i bëjnë presion Shtëpisë së Bardhë për të rivendosur ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e inteligjencës.
Sipas zyrtarëve të qeverisë, është e mundur që fluksi i armëve dhe informacionit të rikthehet që në fillim të javës së ardhshme, pasi Zelensky tha se Ukraina është gati të ulet në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur. Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas përcolli se qeveria e tij është e gatshme të bashkëpunojë nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump për një paqe të qëndrueshme.