Panairi i Artit dhe Zejeve sjell traditën në rrugicat e lagjes Kala në Elbasan

0
Screenshot

 

Në prag të Ditës së Verës, nxënësit dhe mësuesit e 30 shkollave “Qendër Komunitare” të Bashkisë Elbasan organizuan Panairin e Artit dhe Zejeve, një aktivitet që riktheu vlerat kulturore dhe traditat shqiptare.

Panairi u mbajt në rrugicat e kalldrëmta të lagjes Kala, ku qytetarë të shumtë patën mundësinë të shijonin dhe të vlerësonin punimet artizanale, veshjet tradicionale dhe ushqimet karakteristike të zonave të ndryshme. Çdo shkollë ekspozoi elementë të veçantë të kulturës dhe trashëgimisë së saj, duke i dhënë ngjyrë dhe gjallëri atmosferës festive.

Vetë të rinjtë përçuan mesazhin e ruajtjes së traditës, një amanet i pashkruar nga të parët tanë.

Drejtoresha e Zyrës Arsimore, Vesa Llanaj Liço, u shpreh se aktivitete të tilla ndihmojnë fëmijët të njohin më mirë identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kulturore.

Në Elbasan janë duke u zhvilluar një mori aktivitetesh në kuadër të Ditës së Verës, ndërsa festa kulmon më 14 mars./Infoweb Media